E Diel, 1 Nëntor 2026

U morën të pandehur për shkelje të barazisë në tendera, GJKKO pushon akuzat për 6 zyrtarë të ARRSH

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pushoi akuzat në ngarkim të gjashtë zyrtarëve të Autoritetit Rrugor të Rrugëve, të akuzuar për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë”.

GJKKO me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, vendosi pushimin e akuzave për të pandehurit Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxha, Admir Pahumi dhe Erjon Zemanaj.

Sipas GJKKO-së pushimi u bë për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Prokuroria e Posaçme i akuzoi të pandehurit për shkelje në një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Nga hetimet e SPAK u konstatua se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërmarrë veprime që kanë cenuar rregullsinë e procedurës së tenderimit dhe kanë dëmtuar interesat ligjore të shtetit shqiptar.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›