U nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, mbahen homazhet për diplomatin Bashkim Zeneli në Kuvend

Këtë të hënë pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë mbahen homazhet për diplomatin Bashkim Zeneli që ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare. Në ceremoninë përkujtimore janë të pranishëm familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të jetës politike e publike, të cilët po i japin lamtumirën e fundit diplomatit.
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka vlerësuar kontributin e diplomatit Zeneli në diplomacinë shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shquara të këtij profesioni.
“Ai po bëhej gati të botonte librin e tij më të fundit për dy kancelarët e Gjermanisë, Adenauer dhe Kohl. Më kërkoi që t’i bëja një paradhënie. E kishim lënë që të shiheshim shpejt. E kam njohur në mënyrë të veçantë. Ka qenë dhe mbetet një nga figurat më të shquara të diplomacisë shqiptare. Ai e dashuronte rolin e diplomatit. E dëshmoi këtë gjatë kohës së konfliktit të Kosovës. Ishte një njeri që kishte akoma vlera për të dhënë, për të përcjellë. Për fat të keq, disa gjëra nuk i kemi në dorë. Urojmë që kujtimi i tij të mbetet i paharruar”, tha Milo.
Namik Dokle e cilësoi ndarjen nga jeta të Zenelit si një humbje të madhe.
“Është një humbje jo vetëm për PS-në, por për të gjithë Shqipërinë, për politikën e jashtme të saj. Kemi humbur një njeri të mirë”, u shpreh Dokle.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se Bashkim Zeneli do të mbahet mend si një ambasador dhe politikan i nderuar, që la gjurmë në politikën shqiptare.
“Bashkim Zeneli do të mbahet mend si themeluesi i gazetarisë ndërkombëtare, për rolin e tij si gazetar dhe për ne edhe si një deputet. Sot ndahemi prej një mendjeje të ndritur, një shqiptar i madh dhe një ambasador e politikan i nderuar”, tha Balla.
Ndërkohë Ilir Meta, kreu i PL, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se Bashkim Zeneli përfaqësoi modelin e denjë të politikanit të urtë dhe largpamës, të reformave dhe orientimit të qartë euro-atlantik të Shqipërisë, por edhe diplomatin që dinte t’i jepte prioritet forcimit të gjithanshëm të bashkëpunimit me fqinjët.
"Politikan i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe sidomos mbështetës i palodhur i lëvizjes çlirimtare të Kosovës",thekson ai.
Zeneli la pas një karrierë të gjatë në gazetari, politikë dhe diplomaci. Ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, ishte deputet i Kuvendit dhe një nga intelektualët e hershëm të Partisë Socialiste.
Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij në politikën e jashtme, gazetari dhe çështjen kombëtare.
lajm ne perditesim...
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Homazhet për Bashkim Zenelin, Balla: Një shqiptar të madh dhe një politikan i nderuar

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka marrë pjesë në homazhet që po mbahen në nderim të diplomatit Bashkim Zeneli.
Balla theksoi se Zeneli do të mbahet mend si një ambasador dhe politikan i nderuar, që la gjurmë në politikën shqiptare.
“Bashkim Zeneli do të mbahet mend si themeluesi i gazetarisë ndërkombëtare, për rolin e tij si gazetar dhe për ne edhe si një deputet. Por edhe si një model i ambasadorit të Shqipërisë në disa vende të rëndësishme, Gjermani e Greqi, ku roli i tij si ambasador u vu në pah nga autoritetet më të larta të dy vendeve. Sot ndahemi prej një mendjeje të ndritur, një shqiptar i madh dhe një ambasador e politikan i nderuar”, tha Balla.

