U nda papritmas nga jeta, homazhe në Tetovë për këngëtarin Shpat Kasapi

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Familjarë, miq dhe personalitete të artit u mblodhën sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë papritur më 26 nëntor në Itali, gjatë një vizite me partneren Selvije Jao dhe të birin.
Homazhet u kryen në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku edhe qytetarë të shumtë nderuan kujtimin e artistit i cili u nda papritmas nga jeta në moshën 40-vjeçare.
Mes dhimbjes së thellë, familjarët mbajtën edhe fjalë të rastit ku e kujtuan Shpatin si një njeri të butë, me zemër të madhe dhe të përkushtuar ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Po ashtu, artistë kolegë të këngëtarit kujtuan projektet dhe planet e tij.
Ceremonia mortore në Tetovë shënoi një ditë të dhimbshme për miqtë, familjarët dhe fansat e këngëtarit, duke reflektuar dashurinë dhe respektin që Shpati la pas në zemrat e të gjithëve.
Rrugët e Tetovës u mbushën me njerëz që kishin dalë për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit 40-vjeçar.
I lindur më 1 maj 1985, Shpat Kasapi hyri që në moshë fare të re në botën e showbiz-it dhe prej vitesh ai ka qenë një figurë e dashur në skenat ku këndohet shqip.
Shpati ishte me origjinë nga Tetova, por u bë i famshëm në gjithë trevat shqipfolëse me baladat romantike dhe këngët pop, që u bënë hite sidomos në fillimin e viteve 2000.
Shpat Kasapi la pas një djalë trevjeçar.