U vinin gjoba bizneseve, shkatërrohet banda e shqiptarit “Toni”, operonin në Athinë dhe Mykonos

Policia greke ka goditur një grup kriminal, të njohur për gjobvënie ndaj bizneseve të ndryshme në Athinë dhe ishullin e Mykonosit, i cili drejtohej nga një shqiptar me pseudonimin “Toni”.
Autoritetet arrestuan katër persona, mes tyre edhe shqiptarin që kishte rolin e drejtuesit të grupit. Mësohet se shqiptari kishte precedent të theksuar kriminal.
Siç rezultoi nga hetimi, pas shfrytëzimit të duhur të informacionit dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, të paktën që prej muajit nëntor 2023, të arrestuarit u bën bashkë me qëllim që të përfitonin para nga pronarë të ndryshëm biznesesh nën pretendimin se do t’i mbronin nga “dëmtuesit” e mundshëm.
Policia ka mundur të dokumentojë katër raste të tilla në Athinë dhe në Mykonos. Grupi funksiononte duke i propozuar bizneseve të ndryshme një “platformë mbrojtjeje”, ku 2 nga anëtarët e grupit kanë marrë detyra drejtuese (drejtues dhe nëndrejtues), ndërsa 2 anëtarët e tjerë kishin marrë rolin e “mbledhësit” të parave.
Në prangat e policisë greke ra drejtuesi i grupit, shqiptari Fatjon Zace 38 vjec, i njohur si “Toni”, me precedentë penalë për “vrasje të mbetur në tentativë”, “armëmbajte pa leje”, “vjedhje” etj. Bashkë me të u arrestuan edhe shtetas grekë Ioannis Valasopoulos 42 vjeç, i lindur në Belgjikë, Ioannis Ignatiadis 38 vjeç dhe Kristoforos Hardaloupas 21 vjeç.
Gjatë arrestimit dhe kontrollit të banesës së Zaces, policia gjeti dhe sekuestroi 9.095 euro, 2 celularë dhe 1 automjet tip “Smart”.
Ndërsa gjatë arrestimit dhe kontrollit të banesavë të shtetasve grekë, u gjetën dhe sekuestruan 22 145 euro, 105 dollarë, 2 pistoleta, 3 krehëra, 103 fishekë, 1 jelek anti-plumb, 3 thika, celularë, motorra dhe sende të tjera. /vizionplus.tv