UASHINGTON – DASH: SHBA ndërmerr hapat e parë drejt rivendosjes së marrëdhënieve me Venezuelën

UASHINGTON, 9 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një delegacion në Karakas, në një përpjekje për të rivendosur misionet diplomatike në të dy vendet, pas operacionit ushtarak amerikan që rrëzoi udhëheqësin e Venezuelës.
“Diplomatët dhe personeli i sigurisë nga misioni i përkohshëm diplomatik i SHBA-së për Venezuelën udhëtuan sot Karakas”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
“Vizita ka për qëllim kryerjen e një vlerësimi fillestar për një rifillim të mundshëm të operacioneve”, tha zyrtari.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën personelin e tyre dhe mbyllën ambasadën e tyre në Venezuelë në vitin 2019, pasi presidenti autoritar, Nicolás Maduro ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.
Rizgjedhja e Maduros në vitin 2018 u njoh vetëm nga një numër i vogël vendesh, dhe Uashingtoni tha se kundërshtari i tij, Juan Guaidó, ishte fituesi legjitim.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Karakasit që atëherë kanë mbetur të tensionuara, ndërsa misioni i përkohshëm diplomatik i SHBA-së për Venezuelën u vendos në Bogota, në Kolumbinë fqinje.
Fundjavën e kaluar, forcat amerikane kryen një operacion ushtarak në Venezuelë që rezultoi në arrestimin dhe largimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Ata u sollën në SHBA dhe po përballen me akuza që lidhen me vepra të dyshuara penale të lidhura me trafikim të lëndëve narkotike.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se SHBA-ja do ta drejtonte Venezuelën derisa të sigurohej një tranzicion i sigurt, i duhur dhe i drejtë. //a.i/