UASHINGTON – Rubio i kërkon Rusisë t’i japë fund luftës “së pakuptimtë”

UASHINGTON, 28 prill /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka kërkuar ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha në një deklaratë se Rubio kishte zhvilluar dje një bisedë telefonike me Lavrov.
“Pas vizitës së të dërguarit special te SHBA-së, Witkoff në Moskë më 25 prill, sekretari amerikan i Shtetit, Rubio i nënvizoi homologut të tij rus hapat e ardhshëm në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë dhe nevojën për t’i dhënë fund luftës tani”, thuhet në deklaratë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë serioze në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë”, tha DASH.
Rubio tha dje se kjo javë do të tregojë nëse paqja është e mundur në konfliktin e Ukrainës.
“Kjo javë do të jetë një javë vërtet e rëndësishme – në të cilën duhet të vendosim nëse kjo është një përpjekje në të cilën duam të vazhdojmë të jemi të përfshirë, apo nëse është koha të përqendrohemi në disa çështje të tjera që janë po aq të rëndësishme”, tha Rubio duke iu referuar rolit të Uashingtonit si ndërmjetës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua të shtunën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në prag të ceremonisë mortore të papa Françeskun në Romë.
Gjatë kthimit në SHBA, Trump akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se nuk dëshironte t’i jepte fund luftës duke kërcënuar Moskën me sanksione të reja.
Uashingtoni po ushtron presion mbi Ukrainën që të pranojë marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës që përfshin lëshime, si financiare ashtu edhe territoriale. //a.i/