E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA vendos tarifa të reja ndaj 60 vendeve për shqetësimet mbi punën e detyruar

UASHINGTON, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Administrata amerikane njoftoi vendosjen e tarifave të reja prej 10% dhe 12,5% ndaj importeve nga 60 partnerë tregtarë, duke i akuzuar se nuk kanë miratuar ose nuk zbatojnë në mënyrë efektive ndalimet për importin e produkteve të prodhuara me punë të detyruar.

Vendimi u bë publik nga Zyra e Përfaqësuesit të SHBA-së për Tregtinë (USTR).

Tarifat do të hyjnë në fuqi në orën 00:01 të ditës së sotme, por nuk do të zbatohen për të gjitha mallrat.

Përjashtime do të ketë për produkte që tashmë i nënshtrohen tarifave të tjera, si çeliku dhe alumini, si edhe për mallrat që ishin ngarkuar në anije përpara hyrjes në fuqi të masës.

Ndër partnerët e prekur është edhe Bashkimi Evropian, ndërsa në listë përfshihen gjithashtu Japonia, Tajvani dhe Zvicra.

Për disa produkte nga këto vende do të zbatohet tarifa 10%, ndërsa për të tjera 12.5%, me përjashtime shtesë që pritet të shpallen.

Sipas autoriteteve amerikane, niveli i tarifës është përcaktuar në bazë të angazhimit të secilit partner tregtar për të ndaluar dhe luftuar importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar.

Vendet që kanë miratuar dhe zbatojnë masa efektive do t’i nënshtrohen tarifës 10%, ndërsa ato që nuk kanë një ndalim të tillë do të përballen me tarifën më të lartë prej 12,5%.

Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë një ndalim të importeve të lidhura me punën e detyruar prej gati një shekulli dhe e zbatojnë atë me rigorozitet.

Sipas tij, ka ardhur koha që edhe partnerët tregtarë të ndërmarrin masa të ngjashme për të luftuar këtë praktikë./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›