E Hënë, 2 Nëntor 2026

UASHINGTON – Trump: Irani rrëzoi helikopterin amerikan “Apache”, SHBA-ja duhet të hakmerret

UASHINGTON, 9 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se Irani qëndron pas rrëzimit të një helikopteri amerikan “Apache”, një ditë më parë dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reagojnë ndaj sulmit.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha rreth mesditës në Uashington se ushtria amerikane e kishte informuar se, iranianët kishin rrëzuar një nga helikopterët amerikanë “Apache”, shumë të sofistikuar gjatë patrullimit mbi Ngushticën e Hormuzit.

“SHBA-ja duhet, domosdoshmërisht, t’i përgjigjet këtij sulmi”, shkroi Trump.

Ai shtoi se në bord ndodheshin dy pilotë, të cilët janë të sigurt dhe të palënduar, por nuk dha detaje se çfarë forme mund të marrë kundërpërgjigjja amerikane.

Sipas Trump, incidenti vjen në një periudhë, kur ai po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Teheranin, pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit, më 28 shkurt.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi sot se dy anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan me sukses nga forcat amerikane.

“Ushtarët u shpëtuan brenda rreth dy orësh dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e CENTCOM-it, ku shtohet se shkaqet e incidentit janë ende nën hetim.

Sipas njoftimit, helikopteri ushtarak u rrëzua gjatë patrullimit të ujërave rajonale.

Helikopterët sulmues “Apache” përdoren kryesisht për goditje precize, mbështetje të afërt ajrore dhe misione zbulimi ajror.

Tensionet në rajon u rritën sërish të dielën, kur forcat e armatosura iraniane lëshuan raketa drejt Izraelit, për herë të parë në dy muaj, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Në kundërpërgjigje, Forcat Ajrore izraelite kryen sulme ndaj objektivave në Iran.

Të dyja vendet njoftuan dje se do të pezullonin veprimet armiqësore ndaj njëra-tjetrës.

Një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit është në fuqi që nga 8 prilli, më shumë se një muaj, pas nisjes së konfliktit nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.

Trump po kërkon një marrëveshje afatgjatë me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit, por zhvillimet e fundit konsiderohen një provë e rëndësishme për bisedimet diplomatike.

Megjithatë, presidenti amerikan ka minimizuar pasojat e incidentit dhe ka deklaruar se edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të duhet të pranojë një marrëveshje eventuale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›