UASHINGTON – Trump bllokon hyrjen e studentëve të huaj në SHBA për të studiuar në Harvard

UASHINGTON, 5 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi një deklaratë zyrtare – që pezullonte vizat ndërkombëtare për studentët që kërkonin të studionin në Universitetin e Harvardit – për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe mosrespektimit të kërkesave të agjencive federale, tha dje në mbrëmje Shtëpia e Bardhë.
Sipas deklaratës, Harvardi nuk kishte dhënë informacion të mjaftueshëm mbi aktivitetet e paligjshme të njohura të studentëve të huaj, nuk kishte arritur t’u përgjigjej në mënyrë adekuate incidenteve të dhunshme antisemite në kampus dhe po u mohonte amerikanëve punëtorë mundësi të barabarta – duke favorizuar grupe të caktuara përmes programeve të saj të diversitetit.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu theksoi lidhjet e Harvardit me Kinën, duke vënë në dukje se universiteti kishte marrë fonde të konsiderueshme nga burime kineze dhe kishte partneritet me individë të lidhur me Partinë Komuniste Kineze.
“Këto shqetësime e kanë detyruar Qeverinë Federale të arrijë në përfundimin se Universiteti i Harvardit nuk është më një administrator i besueshëm i programeve ndërkombëtare të studentëve dhe vizitorëve të huaj”, tha Shtëpia e Bardhë.
Sipas masës, hyrja e studentëve të rinj të Harvardit me viza jo-imigruese F, M ose J pezullohet. Gjithashtu udhëzon sekretarin e shtetit të marrë në konsideratë revokimin e vizave ekzistuese për studentët aktualë që plotësojnë kriteret e shpalljes.
Pezullimi, që hyn në fuqi menjëherë, fillimisht do të mbetet në fuqi për gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje.
Në prill, administrata e Trump i dërgoi Harvardit një listë kërkesash, të cilat institucioni kishte refuzuar t’i miratonte.
Në një reagim, Departamenti Amerikan i Arsimit tha dje se Universiteti i Kolumbias kishte shkelur ligjet federale kundër diskriminimit duke dështuar në mbrojtjen e studentëve hebre nga ngacmimet në kampus.
“Universiteti i Kolumbias nuk arrin të përmbushë standardet për akreditim të përcaktuar nga Komisioni i Shteteve të Mesme për Arsimin e Lartë”, tha Departamenti, duke i kërkuar Komisionit të ndërmerrte veprimet e duhura. //a.i/