“UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë!” Protestë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të ushtrisë në Hagë

Organizatat e dala nga lufta organizojnë pasditen e kësaj të enjteje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë një protestë gjithëpopullore kundër, siç thonë ato, mbajtjes së padrejtë në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Përmes një videoje të publikuar në faqen e saj në Facebook, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) tregoi qëllimet e protestës. Në pamje shfaqej parulla “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”. Më pas shihen edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.
Një ditë para protestës, zyrtarë të OVL-UÇK-së bënë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha hapat për organizimin e saj, përfshirë koordinimin me qytetarët. Gazmend Syla, nënkryetar i Organizatës theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes masive në këtë protestë për të shprehur mbështetjen ndaj bashkëluftëtarëve të cilët, sipas tij, po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Protesta është paralajmëruar si një tubim paqësor, me moton “Kundër padrejtësisë”, për të dëshmuar solidaritetin me liderët e UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill të vitit 2023.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/