UGSH: Vendimi i Kushtetueses për rastin “Qyno”, akt garantues i lirisë së gazetarit në Shqipëri

TIRANË, 22 prill ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndaj rastit të gazetarit Elton Qyno, duke e cilësuar si akt garantues i Kushtetutës dhe lirisë së gazetarit në Shqipëri.
UGSH thekson se, “vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e gazetarit Elton Qyno për shpalljen e pavlefshme të kontrolleve të SPAK në banesën dhe zyrën e tij dhe sekuestrimin e mjeteve të punës, konfirmon se e drejta e gazetarit për ruajtjen e burimit është një nga garancitë kushtetuese”.
“Në këtë vendim, konstatohet se gjykatat e niveleve të tjera të gjyqësorit, nuk kanë arsyetuar se përse u përdorën mjete të tjera për të zbuluar burimin si dhe u vendos shfuqizimi i vendimeve të mëparshme nga këto gjykata”, shton UGSH.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një akt juridik të mbrojtjes së lirisë së gazetarit dhe të burimeve të tij.
“Ky vendim unanim, rrëzon sekuestrimin e mjeteve të punës së gazetarit”, nënvizon UGSH.
“UGSH, si organizata që e ka ndjekur këtë proces në të gjitha hallkat e gjykimit, vlerëson se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese garanton realisht të drejtën kushtetuese për lirinë e shprehjes, raportimit dhe mbrojtjen e burimeve prej gazetarit”, thuhet në reagim.
“Ky vendim meriton mbështetjen e gjithë gazetarëve dhe të medieve, si dhe çmohet prej Unionit të Gazetarëve Shqiptarë si një shërbim garantues dhe i vyer kushtetues që trupa e Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, u ka bërë, demokracisë ligjore dhe lirisë së shprehjes dhe raportimit të gazetarëve shqiptarë”, përfundon reagimi i UGSH.
/r.e/a.f/