UKRAINË – Kyrylo Budanov emërohet kreu i zyrës së Zelenskyt

KIEV, 3 janar /ATSH-DPA/ – Kyrylo Budanov, kreu i shërbimit sekret ushtarak të Ukrainës, mori detyrën e kreut të zyrës presidenciale, duke u bërë krahu i djathtë i ri i presidentit Volodymyr Zelensky, ndërsa presioni për të arritur një zgjidhje diplomatike për luftën rritet.
Zelensky njoftoi emërimin në një postim në X duke thënë se Budanov do të përqendrohet në çështjet e sigurisë, zhvillimin e forcave të mbrojtjes dhe sigurisë të Ukrainës si dhe në negociatat diplomatike.
Gjeneralmajori 39-vjeçar pason Andriy Yermak, i cili dha dorëheqjen pasi shtëpia e tij u kontrollua nga autoritetet antikorrupsion në fund të nëntorit.
Yermak kishte qenë një figurë qendrore në negociatat me Shtetet e Bashkuara që synonin përfundimin e luftës, e cila u nis nga Rusia pothuajse katër vjet më parë, në shkurt 2022.
Budanov konsiderohet gjithashtu një ndërmjetës i njohur i pushtetit në Ukrainë për shkak të operacioneve të shumta të suksesshme në luftën kundër Rusisë, duke përfshirë sulme shpërthyese në urën për në gadishullin e Krimesë në Detin e Zi të aneksuar nga Rusia dhe vrasjet e gjeneralëve në Moskë.
Si kreu i shërbimit sekret ushtarak, HUR, ai ishte gjithashtu anëtar i delegacionit negociues ukrainas.
“Është një nder dhe një përgjegjësi për mua të përqendrohem në çështjet thelbësore të sigurisë strategjike të shtetit tonë në këtë kohë historike për Ukrainën”, shkroi Budanov në Telegram.
”Ndërkohë, shefi i shërbimit të jashtëm sekret ukrainas, Oleh Ivashchenko, mori detyrën si kreu i shërbimit sekret ushtarak”, njoftoi Zelensky më vonë.
Gjenerallejtënanti 56-vjeçar kishte qenë kreu i shërbimit të jashtëm sekret ukrainas që nga viti 2024./ a.jor.