E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Miratohet projektligji që dobëson agjencitë e anti-korrupsionit, publiku i zemëruar

KIEV, 22 korrik /ATSH/- Parlamenti i Ukrainës miratoi sot legjislacionin që do të shtrëngojë rregullat për mbikëqyrjen e dy agjencive kryesore kundër korrupsionit – të cilat sipas kritikëve – mund ta dobësojnë ndjeshëm pavarësinë e tyre dhe t’i japin rrethit të presidentit Volodymyr Zelensky më shumë ndikim ndaj hetimeve, sipas AP.

Lufta kundër korrupsionit të rrënjosur është thelbësor për përpjekjen e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe për të ruajtur aksesin në ndihmat perëndimore me vlerë miliarda dollarë.

Miratimi i legjislacionit ka shkaktuar zemërimin e publikut në Ukrainë.

Ndryshimet i japin Prokurorit të Përgjithshëm autoritet të ri ndaj hetimeve dhe ndaj çështjeve të trajtuara nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO).

Nëse ky projektligj bëhet ligj, kreu i SAPO-s do të bëhet një figurë nominale, ndërsa NABU do të humbasë pavarësinë dhe do të shndërrohet në një nënndarje të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Projektligji do t’i dorëzohet Zelensky për nënshkrim ose veton e tij.

Në një postim në X, komisionerja e Zgjerimit e BE-së, Marta Kos shprehu shqetësim për votimin në Rada, duke e quajtur atë “një hap serioz pas”.

“Organet e pavarura si NABU dhe SAPO janë thelbësore për rrugën e Ukrainës drejt BE-së. Ligji i së drejtës mbetet në qendër të negociatave të pranimit në BE”, tha Kos.

Dega ukrainase e “Transparency International” kritikoi vendimin e parlamentit, duke thënë se ai minon një nga reformat më të rëndësishme që nga Revolucioni i Dinjitetit në vitin 2014 dhe dëmton besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme e Ukrainës arrestoi dje dy zyrtarë të NABU-së të dyshuar për lidhje me Rusinë.

Javën e kaluar, presidenti kreu një riorganizim të kabinetit të tij të kohës së luftës, një veprim që shihet gjerësisht si konsolidim i mëtejshëm i pushtetit brenda rrethit të tij të ngushtë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›