E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – Rusia sulmon maternitetin në Zaporizhia, të paktën nëntë të plagosur

KIEV, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën nëntë persona u plagosën pasi dronët rusë goditën një maternitet në qytetin jugor të Zaporizhias, thanë sot zyrtarët.

Guvernatori ushtarak Ivan Federov tha se në sulmin fillestar ishin plagosur gjashtë persona, përfshirë dy gra që kishin qenë në spital për një ekzaminim.

“Në sulmin e dytë, u plagosën dy gra dhe një fëmijë 4-vjeçar”, tha ai.

Federov publikoi foto të ndërtesës së rrënuar në Telegram, të cilat tregonin dritare të thyera dhe dhoma spitalore të rrënuara.

Më herët, zyrtarët thanë se një burrë dhe një grua ishin vrarë në sulmet me dron rusë gjatë natës në Dnipro.

Forcat Ajrore Ukrainase raportuan një total prej 90 sulmesh me dron rusë gjatë natës në të gjithë vendin.

Sulmet vijnë mes negociatave të vazhdueshme për t’i dhënë fund luftimeve gati katër-vjeçare.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se bisedimet tripalëshe të paqes midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të zhvilloheshin të mërkurën dhe të enjten në Abu Dabi.

Negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan në Abu Dhabi një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë. Ato u mbajtën pas dyerve të mbyllura dhe u ndërmjetësuan nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit të tyre Steve Witkoff.

Përpara bisedimeve të planifikuara dypalëshe të dielën, Rusia kishte rënë dakord me një kërkesë të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndaluar përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pasi sulmet në centrale shkaktuan ndërprerje masive të energjisë elektrike.

“Armëpushimi i kufizuar duhej të zgjaste deri sot”, sipas Kremlinit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›