UNRWA: Municionet e pa shpërthyera kërcënojnë fëmijët e Gazës

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka paralajmëruar të dielën se midis 5% dhe 10% të municioneve të hedhura në Rripin e Gazës nuk kanë shpërthyer.
Sipas vlerësimeve të Shërbimit të Kombeve të Bashkuara për Veprimin Kundër Minave, këto mbetje eksplozive të luftës paraqesin një kërcënim të vazhdueshëm dhe të fshehur për fëmijët që jetojnë mes rrënojave dhe shkatërrimit të madh.
UNRWA e ka konfirmuar këtë informacion në një postim në platformën ‘X’, teksa thekson se municionet e pa shpërthyera mbeten një rrezik i madh për civilët, veçanërisht për fëmijët, të cilët shpesh luajnë në zona të dëmtuara pa e kuptuar rrezikun fatal që fshihet nën rrënoja.
Ky raport vjen në një moment kur Gaza vazhdon të pësojë pasojat e rënda të konfliktit, duke e bërë pastrimin e zonave të banuara nga mbetjet eksplozive një prioritet humanitar urgjent.
/rtsh.al/