Uashingtoni paralajmëron kompanitë detare: Sanksione për këdo që paguan Iranin për kalim në Hormuz

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim të prerë për industrinë globale të transportit detar, duke bërë të ditur se çdo pagesë e kryer ndaj Teheranit për “kalim të sigurt” në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet shkelje e sanksioneve ndërkombëtare.
Presioni mbi “kabinat e pagesave” të Iranit
Alarmi i lëshuar nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) vjen në një moment kritik të përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit për kontrollin e kësaj pike nevralgjike, ku kalon rreth 20% e tregtisë botërore të naftës dhe gazit.
Sipas raportimeve, pas nisjes së konfliktit më 28 shkurt, Irani ka përdorur taktika të bllokimit dhe sulmeve ndaj anijeve, për t’u ofruar më pas “rrugë alternative” pranë brigjeve të tij kundrejt tarifave të paligjshme.
Format e pagesave të ndaluara
SHBA ka specifikuar se sanksionet nuk do të kufizohen vetëm te transfertat bankare, por do të përfshijnë një gamë të gjerë transaksionesh që Irani po përdor për të shmangur monitorimin si përdorimi i kriptomonedhave për të paguar tarifat e kalimit; mallra ose shërbime në këmbim të sigurisë detare; pagesa përmes kanaleve të fshehta ose donacioneve të supozuara “bamirësie”; transferta fondesh drejtuar ambasadave iraniane nëpër botë.
Lufta e bllokadave
Situata u tensionua veçanërisht pas datës 13 prill, kur SHBA iu përgjigj veprimeve iraniane me një bllokadë detare të porteve të tyre. Ky veprim ka synuar të privojë Teheranin nga të ardhurat jetike të naftës, duke goditur direkt ekonominë e tij tashmë të dobësuar.
Ky paralajmërim i fundit synon të mbyllë çdo “vrimë” financiare që Irani po përpiqet të krijojë përmes tarifave të kalimit, duke i vendosur kompanitë e transportit detar përpara një zgjedhjeje të vështirë mes rrezikut të navigimit dhe pasojave të rënda ligjore nga Uashingtoni.
/rtsh.al/