Uji i Ftohtë në Tepelenë, një ndalesë e preferuar, natyra dhe freskia mbledhin turistët

Pika turistike e Ujit të Ftohtë po tërheq këtë sezon veror një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj. E vendosur mes natyrës së gjelbër dhe freskisë karakteristike, kjo zonë është kthyer në një ndalesë të preferuar për ata që kërkojnë qetësi dhe relaks larg temperaturave të larta.
Bukuria natyrore dhe burimet e ujit të ftohtë krijojnë një atmosferë të veçantë që i josh turistët gjatë gjithë ditës.Vizitorët e zgjedhin këtë destinacion jo vetëm për klimën e freskët, por edhe për produktet tradicionale që ofrohen nga banorët e zonës.
“Ky vend është shumë i bukur dhe relaksues. Më pëlqen shumë natyra këtu dhe ajri i pastër. Produktet tradicionale që shiten këtu janë shumë të mira, sidomos mjalti, çaji i malit dhe rigoni.”
“Më pëlqen të vizitoj këtë pikë turistike sepse është e qetë dhe natyrale. Produktet tradicionale janë shumë të mira dhe autentike. Më pëlqen veçanërisht mjalti dhe çaji bimor i zonës. Është një vend i mrekullueshëm me njerëz shumë mikpritës.”
Mes turistëve të huaj vihet re edhe prania e emigrantëve shqiptarë, të cilët rikthehen çdo vit dhe ndalen në këtë pikë për të blerë produkte tradicionale si rigoni, çaji i malit, mjalti dhe produkte të tjera natyrale. Për ta, Uji i Ftohtë mbetet një vend i dashur që ruan lidhjen me traditën dhe kujtimet e vendlindjes.
Uji i Ftohtë vijon të mbetet një nga pikat më të frekuentuara turistike gjatë sezonit veror, duke ofruar një kombinim të rrallë mes natyrës, freskisë dhe traditës.
Fluksi i lartë i vizitorëve pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, ndërsa kjo zonë forcon gjithnjë e më shumë rolin e saj si një destinacion i rëndësishëm për turizmin lokal dhe atë të huaj.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/