E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë 230 të burgosur lufte

Rusia dhe Ukraina njoftuan sot se kanë shkëmbyer 230 robër lufte, duke përfshirë ushtarë rusë të kapur gjatë ofensivës ukrainase në rajonin e Kurskut.

“Pas një procesi negocimi, 115 ushtarë rusë të kapur në rajonin e Kurskut u larguan nga territoret e kontrolluara nga regjimi i Kievit. Në këmbim, 115 të burgosur të forcave të armatosura ukrainase u liruan”, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ministria sqaroi se ushtarët rusë janë tani në Bjellorusi.

“Sot 115 të tjerë mbrojtës tanë janë kthyer në shtëpitë e tyre”, konfirmoi nga ana e tij presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë vepruar si ndërmjetës për të arritur këtë marrëveshje.

Ky shkëmbim i të burgosurve, si shumë të mëparshëm, u arrit falë ndërmjetësimit të Emirateve, të cilat komentuan se janë “një ndërmjetës i besueshëm në mbështetje të diplomacisë për zgjidhjen e krizës mes dy vendeve”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Emirateve u zotua në një deklaratë “të vazhdojë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë që synon gjetjen e një zgjidhjeje paqësore”, duke e konsideruar “de-përshkallëzimin” si “mjetin e vetëm për të zgjidhur konfliktin” midis Rusisë dhe Ukrainës. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›