Ulet mosha e duhanpirësve, 13-15 vjeçarët përdorin cigarët elektronike

Deri në vitin 2030 sipas OBSH, Europa parashikohet të vazhdojë të ketë një nga nivelet më të larta të duhanpirjes në popullatë, një tendencë veçanërisht shqetësuese tek gratë dhe adoleshentët. Megjithatë më alarmante është situata me cigaret elektronike.
Roland Shuperka, ekspertë i kontrollit të duhanit në një intervistë për Vizion Plus thekson se 14.3% e adoleshentëve në nivel europian përdorin cigare elektronike. Ndër ta, vajzat e moshës 13-15 vjeç kanë shkallën më të lartë të përdorimit të duhanit në këtë grupmoshë. Sipas tij, këto shifra janë edhe më të larta në vendin tonë.
“Niveli i përdorimit të cigareve elektronike është e vërtet që është rritur dhe 14.3% e të rinjve në moshën 13 -15 vjeç në nivelin europian përdorin cigare elektronike. Ne jemi në nivelin diçka më të lartë”, tha Shuperka.
Sipas tij për parandalimin e këtij fenomeni duhet të ndërmerren fushata ndërgjegjësuese, që synojnë sensibilizimin dhe edukimin shëndetësor të të rinjve.
“Këto produkte nuk duhen përdorur absolutisht nën moshën 18 vjeç dhe në këtë drejtim del nevoja e domosdoshme për tu bërë fushata ndërgjegjësuese në këtë grupmoshë, me qëllim që mos të jenë të aksesueshëm që këto produkte të mos shiten nga shitësit me pakicë që normalisht janë të ndaluara dhe në këtë drejtim duhet bërë sensibilizim dhe edukim shëndetësor në shkolla me qëllim që këto produkte mos të shiten nga shitësit me pakicë dhe duhet bërë sensibilizim. Këto produkte janë të rekomanduara vetëm për personat që janë duhanpirës mbi moshën 18 vjeç që nuk arrijnë dot të lënë duhanin”, shtoi Shuperka.
Përdorimi i duhanit tashmë shkakton mbi 1.1 milion vdekje nga sëmundjet jo-ngjitëse në rajonin evropian çdo vit. Në Shqipëri, prevalenca e duhanpirjes ka qenë 39% në vitin 2000 dhe 38.8% në vitin 2024, duke treguar një ulje shumë të vogël./vizionplus.tv