“Unë tradhtoj Atdheun dhe mediat greke ju mbrojnë?!”/ Rama: Si mund të ndodhë kjo?! Ju kanë manipuluar duke shfrytëzuar atdhetarinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi situatën e krijuar pas ngjarjes së ndodhur në Zvërnec, ku një protestë për të kundërshtuar një projekt që do të ndërtohet në zonë përfundoi me përplasje dhe një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjës të një kompanie private sigurimi. Në mbledhjen e Grupit parlamentar socialist, Rama foli për manipulim mbi ngjarjen, teksa përmendi edhe pasqyrimin e saj në mediat greke.
“Bëjnë përditë krimin e ndaluar nga Kurani për të helmuar njerëzit me shpifje. Po si mund të jemi unë kundër jush dhe kundër vetes? Dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyetni veten si ndodh kjo? Gazetat greke që janë mbushur me kauzën tuaj, ka diçka këtu që nuk shkon, apo u gjet shitësi i Atdheut, u gjet i korruptuari dhe ai është kryeministri juaj”, theksoi kryeministri.
Rama nuk la pa komentuar edhe deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, teksa theksoi se nuk ndihmon në marrëdhënien mes dy vendeve.
“U mahnita nga deklarata e ministrisë së jashtme greke se ishte një akt dhune pa diskutim, por nuk ishte një akt dhune shtetërore, siç ndodh me shqiptarët në burgjet greke apo në rrugët e Greqisë? Ishte një akt dhune nga një roje private. Dhe të ngrihet shteti në këmbë e të nënvizojë etninë e protestuesit, nuk i shërben marrëdhënieve tona, që janë në ditët e tyre më të mira”, deklaroi kryeministri.
Ai bëri me dije se ka menduar edhe të japë dorëheqjen, megjithatë thekson se zgjodhi të vijojë drejtimin e vendit “për ta bërë Shqipërinë që të jetë destinacioni më për t’u patur zili në rajon”.
“Për mua këto janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe për t’ju lënë në duart që do të zgjidhni vetë për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt. Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, të udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe po ashtu siç e doni ju dhe t’ju udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur bashkërisht falë votës suaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo ku është, me të cilën i kemi dhënë vlerën që ka flamuri ynë në sytë e huaj dhe me të cilën unë dua ta bëj Shqipërinë që të jetë destinacioni më për t’u patur zili në rajon dhe ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje. Zgjodha që t’ju tregoj anën tjetër të medaljes edhe me rrezikun që të mos besoni dhe po aq hapur dhe sinqerisht që ju thashë deri tani. Kur kam hyrë në atë zyrë kam thënë që zyra është e imja, pushteti është i juaji. Nuk kam premtuar që nuk do bëj gabime, por kam premtuar që nuk do t’ju tradhtoj kurrë. Është vendi për t’ju treguar se si ju kanë manipuluar, si ju kanë tërhequr duke shfrytëzuar atdhetarinë, dëshirën për të patur një mjedis të pastër, të mbrojtur dhe sesi ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua personalisht prej ditës së parë, por këtu në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë”, theksoi kreu i qeverisë Shqiptare.
/rtsh.al/