Universiteti i Shkodrës nis konkurset, në raundin e parë për degët e muzikës dhe arteve pamore

Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, këtë të hënë është zhvilluar raundi i parë i konkurseve për kandidatët që synojnë të ndjekin studimet në degët e Muzikës dhe Pikturë-Grafikë, pranë Departamentit të Arteve.
Rreth 20 kandidatë iu nënshtruan konkursit në të dyja degët, ndërsa procesi do të vijojë edhe me dy raunde të tjera. Pedagogët thonë se interesi për këto programe studimi mbetet thuajse në të njëjtat nivele me vitet e mëparshme.
“Në departament ofrojmë të gjitha kushtet për studimin e lëndëve, si teorike ashtu edhe praktike. Kemi një buxhet interesant dhe prandaj i ftojmë të gjithë studentët, edhe ata që kanë mbaruar degë të tjera, që nëse kanë dije bazike muzikore të tentojnë këtë rrugë. Sepse është një rrugë e mirë, e cila nesër dhe pasnesër ka për të ndikuar pozitivisht për vendin tonë dhe për qytetin tonë.” – tha Markelian Kapedani, Pedagog, Departamenti i Arteve, UNISHK.
Pjesa më e madhe e kandidatëve vijnë nga Shkolla Artistike e Shkodrës, e cila vijon të jetë një burim i rëndësishëm për studentët e rinj që zgjedhin të vijojnë studimet në fushën e artit. Kandidatë ka edhe nga qytete të tjera të veriut të vendit, por edhe nga përtej kufirit, kryesisht nga Ulqini.
“Duke qenë, si të thuash, Universiteti i Veriut, kemi pretendimin që të mbulojmë këtë zonë përreth qytetit tonë. Prandaj edhe studentët kanë filluar ta kuptojnë këtë gjë dhe kanë nisur të vijnë edhe nga zonat jashtë territorit tonë.”
Përveç programeve të ciklit të parë, Departamenti i Arteve në Universitetin e Shkodrës ofron prej tre vitesh edhe ciklin e dytë të studimeve, Master Profesional, në të dy drejtimet, duke krijuar mundësi për vijimin e formimit akademik dhe profesional në fushën e muzikës dhe arteve pamore.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/