E Martë, 3 Nëntor 2026

Ura e re që lidh Kularin me Sulzotajn, Rama ndan pamjet

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Një investim i rëndësishëm infrastrukturor është finalizuar në bashkinë Divjakë, me ndërtimin e urës së re që lidh zonat e Kularit dhe Sulzotajt. Ky projekt rrit ndjeshëm sigurinë dhe lehtësinë e lëvizjes për banorët, duke sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të komuniteteve rurale.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ura e sapopërfunduar, duke theksuar rëndësinë e saj për dhjetëra familje, fermerë dhe biznese të vogla të zonës që tashmë kanë një rrugë më të sigurt dhe më funksionale për të arritur tregjet dhe shërbimet urbane.

Me përfundimin e këtij projekti, përmirësohet transporti i përditshëm, rritet qasja në shërbimet publike dhe lehtësohet lëvizja për raste emergjente.

Përveç ndikimit në jetën individuale të banorëve, kjo vepër konsiderohet një hap drejt zhvillimit ekonomik lokal dhe përmirësimit të kushteve të punës për sektorin bujqësor.

Bashkia Divjakë është një nga zonat më të rëndësishme për prodhimin bujqësor dhe blegtoral në vend. Me një sipërfaqe të gjerë tokash të punueshme, ajo kontribuon ndjeshëm në furnizimin me fruta, perime dhe produkte të tjera të freskëta për tregjet kombëtare dhe rajonale.

Divjaka njihet gjithashtu për pasuritë e saj natyrore, duke përfshirë Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, një nga zonat më të mbrojtura dhe më të vizituara në vend, që tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj për shkak të florës dhe faunës së pasur, veçanërisht për pelikanin kaçurrel, një specie në rrezik zhdukjeje.

Zhvillimi i infrastrukturës rrugore në këtë zonë është thelbësor për rritjen e turizmit, rritjen e vlerës së tokës bujqësore dhe lehtësimin e aksesit në tregje për prodhuesit vendas. /j.p/

1 nga 10

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›