E Hënë, 2 Nëntor 2026

Urdhri i ri i mjekut, Kushtetuesja shfuqizon disa pika të Aktit Normativ

TIRANË, 17 tetor/ATSH/  Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar sot disa nene të Aktit Normativ për Urdhrin e ri të Mjekut që u miratua nga Kuvendi në shtator të vitit të kaluar.

Kushtetuesja vendosi shfuqizimin e pikave 1, 3, 5, 7 dhe 9 të nenit 8/a të ligjit “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkaq, GJK rrëzoi kërkesat e tjera.

Ky akt normativ u kundërshtua dhe u depozitua në Kushtetuese nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor dhe Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë.

Në njoftimin zyrtar për mediet, thuhet se Gjykata rrëzoi si antikushtetuese nenet që kufizonin të drejtën e mjekëve për të punuar në sektorin privat, duke u dhënë drejtuesve të institucioneve publike pushtet disproporcional për të miratuar ose refuzuar kërkesat e tyre.

Gjithashtu, Gjykata shfuqizoi edhe nenin që parashikonte heqjen e licencës si masë disiplinore pa kritere të qarta, duke e cilësuar këtë si cenim të rëndë të së drejtës për punë dhe joproporcional me qëllimin.

Në njoftim thuhet se Gjykata Kushtetuese pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se për pretendimet për të drejtën për kujdes shëndetësor dhe standardin më të lartë shëndetësor kërkuesit nuk legjitimohen, pasi mjekët anëtarë të Sindikatës dhe anëtarë të Urdhrit të Mjekëve nuk paraqiten thjesht si individë, por në cilësinë e mjekut, për rrjedhojë ata nuk janë titullarë të këtyre të drejtave.

Ndërsa për sa i përket pretendimit për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit Gjykata vlerësoi ta analizojë në themel të lidhur me lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën për punë dhe ushtrimit të një profesioni.

Për sa i përket themelit të pretendimeve, Gjykata, në lidhje me pretendimin e kërkuesve për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të kufizimit të së drejtës së mjekëve për të mos punuar në sistemin shëndetësor jopublik më shumë se 30 % të orëve mujore që punojnë në sistemin shëndetësor publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, për sa i përket pretendimit për cenimin e parimit të shtetit të së drejtës në drejtim të vetërregullimit të Urdhrit të Mjekëve, Gjykata arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi mbikëqyrja e shtetit për ofrimin e shërbimit shëndetësor është funksion publik dhe si i tillë shteti ka diskrecion të vendosë në lidhje me organizimin e tij.

“Në këto kushte edhe pretendimet për VKM-në nr. 85, datë 10.02.2025 “Për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit”, të cilat lidhen në thelb me pavarësinë organizative dhe vetërregullimin e Urdhrit të Mjekëve janë të pabazuara”, vijon njoftimi.

“Gjykata vlerësoi se detyrimi i anëtarëve të Urdhrit të Mjekëve që kërkojnë të ushtrojnë profesionin e mjekut në një institucion shëndetësor jopublik për t’i bërë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik ku ata janë të punësuar, i cili pasi vlerëson një sërë kriteresh vendos miratimin ose mosmiratimin e kërkesës, është i papajtueshëm me Kushtetutën”, theksohet në njoftim.

Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se diskrecioni në vendimmarrje i titullarit të institucionit është joproporcional, pasi, nga njëra anë, dypunësimi i mjekëve është i lejueshëm sipas parashikimeve të vetë ligjit dhe, nga ana tjetër, ky kufizim është i tillë që çon deri në mohimin e vetë kësaj të drejte.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›