E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjenca e Lezhës rrit gatishmërinë, rikthehet motoambulanca për kapërcyer vështirësitë në trafik

Rritja e numrit të turistëve gjatë sezonit veror ka vënë në gatishmëri të shtuar Shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Rajonal të Lezhës.

Që prej 1 qershorit është dyfishuar stafi mjekësor, ndërsa në dispozicion janë vendosur dy autoambulanca dhe një motoambulancë, e cila rikthehet për të dytin vit radhazi. Sipas bluzave të bardha, ky mjet ndihmon në ndërhyrjen e shpejtë në rastet emergjente, sidomos në kushtet e trafikut të rënduar që shoqëron sezonin turistik.

“Kemi dyfishuar ekipet mjekësore, duke vënë në dispozicion dy autoambulanca me staf të kualifikuar shëndetësor në Shëngjin. Risia që kemi pasur edhe vitin e kaluar, dhe që e vazhdojmë çdo vit, është motoambulanca, e cila na ndihmon në rastet kur në disa zona ka trafik të rënduar. Ajo mundëson që një ekip shëndetësor të mbërrijë sa më shpejt në vendngjarje, duke ofruar ndihmën e parë deri në momentin e mbërritjes së autoambulancës dhe më pas transportimin e pacientit drejt Spitalit të Lezhës”, tha Ledion Prendi, Koordinator i Shërbimit të Urgjencës Lezhë.

Gjatë muajve të verës, numri i thirrjeve në urgjencë kalon mbi një mijë raste, duke nxitur nevojën për rritjen e kapaciteteve të stafiti mjekësor për reagim në kohë.

Sakaq edhe vendosja në funksion e motoambulancës konsiderohet një element kyç për përballimin e emergjencave duke sjellë ndërhyrje të shpejtë dhe më shumë siguri për pushuesit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›