E Diel, 1 Nëntor 2026

Ursula von der Leyen në Kosovë, integrimi evropian në qendër të takimeve me Haxhiun dhe Kurtin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen u prit fillimisht nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa më pas zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me kreun e qeverisë kosovare është paralajmëruar edhe një konferencë e përbashkët për media.

Në fokus të vizitës janë hapat e mëtejshëm të Kosovës në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e BE-së që synon të përshpejtojë afrimin ekonomik dhe institucional të vendeve të rajonit me unionin.

Vizita e von der Leyen në Kosovë është pjesë e turneut të saj të gjashtë në Ballkanin Perëndimor. Pas ndalesës në Prishtinë, presidentja e Komisionit Evropian do të vijojë vizitat në vendet e tjera të rajonit, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitave të saj në rajon, von der Leyen ka përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit, duke theksuar rëndësinë e reformave dhe përafrimit me standardet evropiane në rrugën drejt anëtarësimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›