VAR anulon golin e vetëm, Dinamo e Bylis ndajnë nga një pikë

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Ndeshja mes Dinamo City-t dhe Bylisit, e vlefshme për javën e 22-të të Superiores është mbyllur në një barazim pa gola në përballjen që dy skuadrat zhvilluan në “Air Albania”.
Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja ekipet asnjë nuk e gjeti rrugën e golit.
Të vetmin “gol” të shënuar, VAR e anuloi. Në minutën e 67-të Neziri nga e majta bën një veprim spektakolar duke kaluar në fundore, pasimi i tij gjen Koma i cili çon sferën në rrjetë. Por goli më pas anulohet pasi topi kishte dalë jashtë vijës fundore.
Ky është barazimi i tretë ditën sotme, pas atyre të Vora-Flamurtari dhe Partizani-Elbasani.
Me pikën e marrë sot Dinamo City shkon në kuotën e 34 pikëve, ndërsa Bylisi në atë të 20 pikëve, një pikë nga vendi i parafundit.
Nesër në orën 16:30 do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të Javës së 22-të të Superiores, Teuta-Vllaznia dhe Egnatia-Tirana.