E Diel, 1 Nëntor 2026

VARSHAVË – Sikorski mbron BE-në kundër tundimit në rritje për një Polexit

VARSHAVË, 26 shkurt /ATSH-AFP/ – Ministri i Jashtëm polak bëri sot një thirrje të fuqishme pro evropiane në parlament, në përgjigje të rritjes së ndjenjës sovraniste në një vend ku tundimi i një Polexit nuk është më një temë tabu.

“Nuk mund të ketë Poloni të lirë, të begatë dhe të sigurt pa një Bashkim Evropian të fortë”, argumentoi Radoslaw Sikorski në fjalimin e tij vjetor mbi politikën e jashtme të qeverisë.

”Integrimi evropian i Polonisë, si anëtare e BE-së që nga viti 2004, është edhe më i rëndësishëm në kontekstin e pasigurisë gjeostrategjike dhe ngjarjeve dramatike të lidhura me luftën ruso-ukrainase”, theksoi ai.

”Kjo përbën një përgjigje ndaj shqetësimeve që rrethojnë marrëdhënien midis Kontinentit të Vjetër, dhe Polonisë në veçanti, dhe Shteteve të Bashkuara nën Donald Trump”, shtoi ministri.

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga ”United Sondage Institute”, pothuajse një në katër polakë mbështesin largimin e Polonisë nga BE-ja duke ndjekur shembullin e Brexit.

Ky mendim mbështetet nga gati gjysma (47%) e votuesve për partinë kryesore të opozitës, ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS, nacionaliste), e cila ishte në pushtet nga viti 2015 deri në vitin 2023.

PiS, udhëheqësi i së cilës Jaroslaw Kaczynski dhe disa zyrtarë të tjerë bojkotuan fjalimin e ministrit, mbetet një forcë e rëndësishme në politikën polake, së bashku me partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë dhe presidentin euroskeptik, Karol Nawrocki.

”Pa institucionet evropiane egoizmi i disave do të përplasej me egoizmin e të tjerëve, me pasoja që do të ishin të rrezikshme për sigurinë dhe zhvillimin e Polonisë”, tha ministri.

“Ose mbetemi të bashkuar ose të fuqishmit do të na përpijnë. Në Moskë gëzohen për çdo manifestim të histerisë anti evropiane”, theksoi Sikorski./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›