VARSHAVË – Wadephul: Zgjidhja për konfliktin në Gaza, e arritshme

VARSHAVË, 29 shtator /ATSH-DPA/- Një zgjidhje për luftën në Gaza është “e arritshme” falë përpjekjeve të SHBA-së, tha sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
Në një takim me homologët e tij polakë, francezë dhe ukrainas në Varshavë, Wadephul i bëri thirrje Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas të bien dakord me planin e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Një zgjidhje është e arritshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që tani të kenë guximin për të ndërmarrë hapin e fundit vendimtar”, tha ai.
“Kjo luftë tani duhet të marrë fund dhe Hamasi duhet t’i lejojë më në fund pengjet të kthehen te familjet e tyre”, shtoi Wadephul.
Qeveria gjermane ka punuar shumë në muajt e fundit për të arritur në këtë fazë. Tani është koha për të hapur derën për paqe afatgjatë”, shtoi ai.
Berlini është i bindur se vetëm një zgjidhje e negociuar me dy shtete do të sjellë paqe dhe se Hamasi nuk mund të luajë më asnjë rol në qeverisjen e Gazës.
Trump do t’i paraqesë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu një plan për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm sot në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë.
“Konsultimet mbi planin janë në fazat përfundimtare”, tha Trump për Axios.//a.i/