VATIKAN – Moment historik: Papa dhe mbreti Charles luten së bashku pas pesë shekujsh

VATIKAN, 22 tetor /ATSH-ANSA/ – Papa Leone XIV dhe mbreti Çarles do të luten së bashku publikisht në një moment solemn dhe historik nën tavanin e harkuar të Kapelës Sistine, vepër e piktorit Michelangelo.
Një mbret dhe një papë nuk janë parë së bashku duke iu lutur Zotit për pesëqind vjet, domethënë, që kur Henri VIII u nda nga Kisha e Romës, duke filluar Reformimin Anglikan.
Është një nga ngjarjet e nesërme në mëngjes: Çarlsi dhe Kamila të cilët mbërritën në Romë këtë mbrëmje do të kalojnë pragun e Vatikanit rreth orës 11:00 të paradites për vizitën e tyre shtetërore.
Mbreti do të takohet me Papën, ndjekur nga dy ngjarje: një lutje në Kapelën Sistine, e cila do të kryesohet nga Papa dhe Kryepeshkopi i Jorkut Stephen Cottrell dhe një takim mbi mjedisin në Sala Regia.
Liturgjia, në anglisht dhe latinisht, do të shoqërohet jo vetëm nga kori i Kapelës Sistine, por edhe nga kori i Kapelës së Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor dhe kori i fëmijëve i Kapelës Mbretërore në Pallatin e Shën Jakobit
Sovranët Charles dhe Camilla e kanë zgjedhur këtë vizitë në Vatikan posaçërisht për Jubileun, ashtu siç bëri Mbretëresha Elizabeth në vitin 2000.
Do të jetë një vizitë e shënuar nga ekumenizmi dhe kujdesi për mjedisin, një temë e dashur si për Papën ashtu edhe për monarkun britanik.
Për Charles dhe Camilla, vizita në Vatikan do të jetë gjithashtu një mundësi për të larguar vëmendjen e medias nga një tjetër kapitull negativ në sagën e familjes mbretërore.
Lajmet e fundit kanë zbuluar se të gjitha titujt i janë hequr vëllait të familjes mbretërore, Andrew, i përfshirë në skandalin Epstein. /os/