VATIKAN – Papa Leone XIV kundër rimigrimit: Nuk është një përgjigje e krishterë

VATIKAN, 16 qershor /ATSH/ – Papa Leone XIV ka kritikuar ashpër idenë e rimigrimit (rimigrimi është një term shumëplanësh që i referohet gjerësisht aktit të një individi ose të një grupi që rikthehet në vendin e tij të origjinës – shën. i përkth.) duke deklaruar se dëbimi i të huajve nuk përbën një zgjidhje në përputhje me vlerat e krishtera, sipas ilmessagero.it.
Duke folur para largimit nga Villa Barberini në Castel Gandolfo për në Romë, ai theksoi se njerëzit duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt.
I pyetur për propozimet që parashikojnë largimin e të huajve në numër të madh, papa Leone XIV nënvizoi se shpesh nuk njihen arsyet që i kanë detyruar këta persona të largohen nga vendet e tyre të origjinës.
“Të thuash thjesht se do t’i dërgojmë mbrapsht do të thotë të lajmë duart nga problemi; kjo nuk më duket përgjigjja më e krishterë”, tha ai.
Papa bëri thirrje që migrantët të trajtohen me respekt dhe mirëkuptim, duke vënë në qendër të vëmendjes dimensionin human të çështjes së migracionit.
Në të njëjtën kohë, ai dërgoi edhe një mesazh për liderët e G7-ës, duke përshëndetur përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Sipas tij, dialogu dhe negociatat janë rruga më e mirë për të arritur paqen, ndërsa kthimi te lufta nuk mund të jetë zgjidhje.
Ai shprehu shpresën se marrëveshjet dhe memorandumet që po diskutohen do të kontribuojnë në përfundimin e konflikteve dhe në forcimin e paqes./ /Ad.Ab./ a.jor.