E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR KRIJIMIN E QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT

V E N D I M

PËR

 

KRIJIMIN  E QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

 

1.    Krijimin e Qendrës Kombëtare të Licencimit, që më poshtë do të përmendet QKL, si një institucion publik qendror, me seli në Tiranë, me personalitet juridik, në varësi të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (më poshtë ministri), e që financohet nga buxheti i shtetit.

2.    QKL-ja mbështet ministrin për përgatitjen e kuadrit, normativ dhe institucional, për trajtimin e licencave, të lejeve, nëpërmjet një sistemi me një ndalesë.

3.    Veprimtaria e QKL-së drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, që emërohet nga ministri, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

4.    Titullari i QKL-së duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme, të parashikuara në nenin 12, të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.

5.    Titullari i QKL-së lirohet nga detyra për shkaqet dhe sipas procedurave të parashikuara në pikën 1, të nenit 21, të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, me vendim të ministrit.

6.    Titullari i QKL-së u nënshtrohet dispozitave, që rregullojnë masat, procedurat disiplinore dhe vlerësimin e punës, të përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil, për institucionet e pavarura. Ministri është eprori direkt, në kuptimin e këtyre dispozitave.

7.    Ankimi ndaj vendimeve të ministrit, të nxjerra në mbështetje të pikave 6 e 7, të këtij vendimi, bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.

8.    Për nëpunësit e QKL-së zbatohen procedurat e përcaktuara në legjislacionin për nëpunësin civil, përveç sa parashikohet ndryshe më këtë ligj. Titullari i QKL-së është eprori direkt, në përputhje me këto dispozita.

9.    Marrëdhëniet e punës të punonjësve të thjeshtë të QKL-së, që kryejnë detyra të karakterit mbështetës, u nënshtrohen legjislacionit të punës dhe legjislacionit tjetër, me zbatim të përgjithshëm në administratën publike.

10.     Ankimi ndaj akteve të titullarit, të nxjerra në mbështetje të pikave 10 e 11, të këtij vendimi, bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.

11.    Zhvillimi i procedurave të rekrutimit të nëpunësve të QKL-së, në fazën fillestare të krijimit, mbështetet nga shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

12.    Struktura dhe organika e QKL-së miratohen nga Kryeministri, me propozimin e  ministrit.

13.    Në fund të shkronjës “a”, të pikës 1, të vendimit nr.478, datë 18.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të disa institucioneve në varësi të ministrave të linjës”, të ndryshuar, shtohet emërtimi “... Qendra Kombëtare e Licencimit”.

14.    Numrit të punonjësve, të parashikuar për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, t’i shtohen dhe 20 veta.

15.    Buxheti për vitin 2009, për këtë institucion, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

16.    Deri në rekrutimin e stafit të nevojshëm, shërbimet e financës, të llogarisë dhe të prokurimit të kryhen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

17.    Ngarkohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2009.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


24/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›