E Hënë, 2 Nëntor 2026

VIDEO- Parkingu i paligjshëm në mes të Tiranës, Braçe denoncon sfidën ndaj ligjit

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka denoncuar rastin e një parkingu privat të paligjshëm në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë. Braçe thotë se, pavarësisht mbylljes së tij dy ditë më parë nga organet kompetente, ai është rihapur sërish, duke sfiduar hapur ligjin dhe autoritetet.

Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shprehet se ky veprim po e bën jetën e banorëve të zonës “të padurueshme” për shkak të pluhurit, zhurmës dhe ndotjes.

Ankesat e banorëve dhe thirrja e Braçes

Braçe ka shkuar sërish në vendngjarje për të ndjekur situatën, duke theksuar se banorëve u ka ardhur “në majë të hundës” nga ky problem.

“Erdha prapë këtu se këtyre banorëve po iu vjen shpirti në majë të hundës. Se ky parkingu vijon të funksionojë këtu në mënyrë skandaloze. Mu në penxhere. Pluhur pafund, zhurmë pafund, ndotje e gjithçka tjetër,” deklaroi ai.

Ai shtoi se, edhe pse u mbyll, parkingu është hapur sërish dhe nuk po mbyllet pavarësisht se kanë kaluar dy apo tre ditë. “Vazhdon të jetë i tillë këtu, duke u marrë shpirtin këtyre njerëzve”, përfundoi Braçe.

Denoncimi i tij shfaq një problem serioz me zbatimin e ligjit dhe tregon se, edhe pas ndërhyrjes së autoriteteve, situatat e paligjshme mund të rikthehen, duke dëmtuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›