VIDEO/ Goditi disa herë me fuoristradë emigrantin, 65-vjeçarja: Doja të merrja çantën që më vodhi, jo ta vrisja

Cynthia Dal Pino, 65-vjeçarja që goditi emigrantin 47-vjeçar me fuoristradën e saj pasi i kishte vjedhur çantën në qytetin Viareggio në veri të Italisë, është lënë në “arrest shtëpie”.
Ngjarja e rëndë është regjistuar nga një kamera sigurie. Në video shihet 65-vjeçarja, e cila godet disa herë me makinë burrin. Ky i fundit ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.
Cynthia Dal Pino ka thënë përmes avokatit të saj se nuk kishte për qëllim të vriste 47-vjeçarin, por thjesht donte të merrte çantën e saj. Njëkohësisht ajo ka thënë se nuk ka lajmëruar menjëherë policinë, pasi në çantën që i kishte rrëmbyer emigranti ishte celulari i saj.
Akuza me të cilën përballet 65-vjeçarja është ajo e vrasjes nga pakujdesia.
Mediat italiane raportuan se Said Malcolm, emigranti 47-vjeçar, kishte ardhur në Itali që në vitin 2004, nuk kishte adresë të përhershme dhe kishte të dhëna për grabitje dhe vjedhje.

Sipas të njëjtave burime, ndaj tij ishin dhënë rreth 10 vendime dëbimi që nuk ishin ekzekutuar.
Dal Pino fillimisht pretendoi se Malcolm e kishte kërcënuar me thikë, por në fund pranoi se 47-vjeçari nuk kishte thikë në duar, por i kishte thënë se e kishte një të tillë dhe do ta përdorte nëse ajo nuk i jepte çantën. Policia nuk gjeti asnjë armë në posedim të viktimës./vizionplus.tv