E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Interpol Tirana pjesë e operacionit ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Dy grupe kriminale janë goditur nga një megaoperacion policor ndërkombëtar i koduar “Liberterra III”, ku u angazhuan rreth 14 specialistë të agjencive ligjzbatuese nga e gjithë bota, përfshirë edhe Interpol Tiranën që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm.

Megaoperacioni ishte rezultat i 720 hetimeve të iniciuara gjatë muajve të fundit të vitit 2025 dhe kishte në fokus goditjen e trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe/ose punë e kriminalitet të detyruar, si dhe luftën kundër lëvizjes së kundërligjshme të emigrantëve.

Gjatë periudhës së zhvillimit të operacionit, nga data 11 deri më 21 nëntor 2025, bashkëpunimi i ngushtë i 476 specialistëve të Policisë së Shtetit në Shqipëri, nga departamentet e Policisë Kriminale, Kufirit dhe Migracionit, si dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bëri të mundur:

-goditjen e 2 grupeve aktive në veprimtaritë kriminale që goditi megaoperacioni “Liberterra III”;

-arrestimin e 27 shtetasve të përfshirë në këto veprimtari;

-sekuestrimin e 6 automjeteve dhe rreth 20 000 eurove, të përfituara nga këto veprimtari kriminale ose që iu shërbenin atyre;

-identifikimin dhe trajtimin konfrom ligjit, të 94 emigrantëve dhe 3 viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore;

-pjesëmarrjen në 3 skuadra të përbashkëta hetimore të krijuara në kuadër të megaoperacionit.

Përfaqësues të Drejtorisë së Interpolit ishin të pranishëm në Qendrën Operacionale në Kent, Angli, si dhe ndërvepruan me homologët nëpërmjet sigurimit të informacionit, shkëmbimit të shpejtë të tij dhe koordinimit të veprimeve operacionale.

Megaoperacioni “Liberterra III” u organizua nga Home Office e Mbretërisë së Bashkuar, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), dhe u mbështet nga Bashkimi Europian, INTERPOL, FRONTEX, agjenci ligjzbatuese në Kanada dhe ShBA, si dhe nga organizata ndërkombëtare me fokus pune emigracionin e kundërligjshëm.

Megaoperacioni çoi në arrestimin e mbi 3 mijë e 700 të dyshuarve

Në nivel global, megaoperacioni “Liberterra III” shënoi këto rezultate:

-goditjen e më shumë se 1800 rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe lëvizjes ilegale të emigrantëve;

-arrestimin e 3744 autorëve të dyshuar të këtyre veprimtarive kriminale;

-shpëtimin e 4414 viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore;

-identifikimin e 12 992 emigrantëve që kishin lëvizur në mënyrë të kundërligjshme, në 119 vende.

Interpol Tirana do të vijojë të bashkëpunojë ngushtë me partnerët, për finalizimin e goditjeve të tjera në kuadër të megaoperacionit “Liberterra III”, si dhe për finalizimin e operacioneve të tjera me efekt global, kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›