VIDEO/ Iu nënshtrua operacionit për kancerin e gjirit, Jessie J ndan publikisht momente të vështira nga spitali

Këngëtarja britanike Jessie J ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram disa imazhe nga shtrati i spitalit, ndërsa vazhdon trajtimin për kancerin e gjirit. Artistja e njohur zbuloi në fillim të këtij muaji se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit në fazë të hershme, pak para publikimit të këngës së saj më të fundit No Secrets, në prill.
Në postimin e saj të fundit, ajo ndau disa fotografi ku tregohej në spital dhe falënderonte mjekët dhe infermierët për përkujdesjen e tyre.
“ Ky postim përmban disa nga momentet më të vështira dhe më të mira të 48 orëve të fundit. Do të jem gjithmonë e sinqertë për çdo rrugëtim që kaloj. Jam mirënjohëse për doktorin, kirurgun dhe të gjithë stafin që u kujdes për mua, si dhe për familjen dhe miqtë që më vizituan,” shkroi Jessie.
Ajo shtoi se tashmë është kthyer në shtëpi dhe po pret rezultatet e analizave, duke ruajtur humorin edhe në këto kohë të vështira: “Chanan (partneri im) është me uniformë infermieri… Jo, jo është shaka, por është qesharake ta imagjinosh. Përqafoj të gjithë ata që po kalojnë një periudhë të vështirë. Do ia dalim!”
Në një video të shkurtër nga spitali, këngëtarja tha se kishte qëndruar mbi gjashtë orë nën kujdes mjekësor.
View this post on Instagram
Deklarata e saj e fundit vjen pasi Jessie J u emocionua në skenë, gjatë performancës së fundit para trajtimit, ku njoftoi para 75 mijë fansave në Wembley Stadium se ishte gati të përballej me kancerin.
“Ky është koncerti im i fundit para se të nis trajtimin për kancerin e gjirit,” tha ajo për publikun. “Kjo është një ndjesi shumë e veçantë për mua. Jam krenare që jam nga Mbretëria e Bashkuar, që mund të jem e sinqertë dhe të flas për atë që ndjej.”
Ajo falënderoi publikisht djalin e saj, partnerin, prindërit, familjen, grupin muzikor dhe të gjithë stafin që e mbështet.
Jessie J ka qenë e hapur me fansat edhe më herët për problemet e saj shëndetësore. Në vitin 2020, ajo zbuloi se vuante nga sëmundja Ménière – një çrregullim i veshit të brendshëm që shkakton marrje mendsh dhe humbje dëgjimi. Një vit më vonë, ajo tregoi se kishte përjetuar një abort spontan, ndërsa vitin e kaluar pranoi publikisht se ishte diagnostikuar me çrregullim obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe çrregullim të mungesës së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD).
/vizionplus.tv