VIDEO/ Kapet me 6 kg heroinë të fshehur si çokollatë, momenti i arrestimit në Kapshticë

Një sasi droge e dyshuar si heroinë, e ndarë në copa që ngjajnë me çokollata dhe me peshë rreth 6 kg, është sekuestruar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar me mbështetjen e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe forcave të kufirit.
Droga ishte fshehur në një vend të përshtatur enkas në automjetin që drejtohej nga i arrestuari, i cili tentoi ta kalonte lëndën narkotike drejt Greqisë.
Burime nga hetimi bëjnë të ditur se operacioni është mbajtur në sekret të plotë, madje pa informuar paraprakisht as policinë kufitare të pikës Kapshticë, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e personave të tjerë në trafik, përfshirë mundësisht edhe zyrtarë të kufirit.
Përfshirja e AMP-së në këtë aksion e shton dyshimin se drejtuesi i mjetit mund të ketë pasur bashkëpunëtorë brenda sistemit për të siguruar kalimin e lëndës narkotike në territorin grek.
Hetimet po vijojnë në fshehtësi, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për identitetin e të arrestuarit apo për rrjetin e mundshëm të trafikut.
/vizionplus.tv