E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Reshje dëbore në zonat malore të Elbasanit, mungon energjia elektrike në disa zona

Qarku Elbasan vijon të përballet me reshje shiu me intensitet të ulët dhe të mesëm, ndërsa në lartësi mbi 600 m kanë filluar reshjet e borës. Sipas Stacionit Meteorologjik Elbasan, gjatë natës ranë 17 mm shi.

Në Bashkinë Elbasan, dëbora është prezente në Labinot Mal, Gjinar, Funarë e Zavalinë, me trashësi deri në 5 centimetra. Qarkullimi vijon normalisht. Përroi i Zaranikës është mbi kuotat mesatare, ndërsa Lumi Shkumbin ka pasur rritje të konsiderueshme të prurjeve krahasuar me dje.

Në Bashkinë Cërrik, gjatë natës u punua pranë stacionit elektrik tek ish-uzina e naftës për të larguar ujërat e grumbulluar, ndërsa në Bashkinë Belsh liqeni kryesor ka dalë nga shtrati.

Portat e shkarkimit janë hapur dhe segmenti rrugor Belsh–Trojas është i bllokuar për shkak të ujit. Në aksin Elbasan–Qafë Thanë kanë filluar reshjet e borës dhe qarkullimi është i ngadalësuar.

Si pasojë e motit të keq, ka stakime dhe defekte në furnizimin me energji elektrike në disa zona malore, përfshirë Librazhdin (Stëblevë, Orenjë), Skënderbegas e Kukur në Gramsh dhe Klos e Mollas në Cërrik.

Autoritetet thonë se janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e banorëve dhe qarkullimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›