E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Rrëshqitje masive toke në Siçili, 1500 të evakuuar

Ky filmim tregon momente nga rrëshqitjet masive të tokës që kanë prekur qytezën e Nishemit, në jugperëndim të Siçilisë.

Prej të dielës, qyteza e ngritur në një pllajë mbi 300 metra mbi nivelin e detit po përballet me rrëshqitje të tokës që mëngjesin e kësaj të hëne u intensifikuan dhe kanë arritur buzë shtëpive të banorëve, duke shembur disa prej tyre e duke rrezikuar të tjera, siç duket edhe në këto pamje.

Autoritetet kanë evakuuar deri më tani rreth 1 500 banorë dhe kanë krijuar një zonë sigurie rreth 150 metra, në drejtimin nga po përparon rrëshqitja e tokës.

Rrëshqitjet kanë prekur një hapësirë prej 4 kilometrash dhe kanë krijuar një greminë me thellësi 6 metra.

Ekipet e emergjencës janë vënë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të qytetit, të cilët nuk e fshehin irritimin për këtë situatë.

“Është katastrofë, është rrënuar gjithçka. Për 30 vite këtu, nuk është bërë asgjë për të siguruar zonën. Na bindën të investojmë këtu dhe tani jemi në mëshirë të fatit”, tha një banor.

Kjo nuk është hera e parë që qyteza përballet me situata të tilla, pasi toka përbëhet nga një lloj argjile e butë. Një tjetër rrëshqitje e madhe ndodhi edhe në vitin 1997.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›