VIDEO/ Rrezik për njerëzit dhe automjetet, momenti kur hidhet në erë masivi shkëmbor në Torovicë

Forcat e Armatosura kanë kryer shkatërrim me shpërthim të komanduar të një pjese të masivit shkëmbor që ishte kthyer në rrezik për banorët e Torovicës në Lezhë.
Sipas autoriteteve, operacioni ishte i suksesshëm dhe nuk ka pasur dëme në banesa. Ndërsa ndërhyrja do të vijojë edhe në ditët në vijim deri në largimin e të gjithë gurëve në malin e Torovicës.
“Shpërthimi i kontrolluar për shkatërrimin e shkëmbinjëve që rrezikojnë jetën e banorëve në fshatin Torovicë, mbi lartësitë e fshatit në malin e Kakarriqit përfundoj me sukses të plotë.
Nga të gjitha strukturat pjesmarrëse në këtë operacion ka patur forca të shtuara, për sigurimin e perimetrit të sigurisë, evakuimin e banorëve të rrezikuar, sigurimin e levizjes dhe qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor Balldren –Torovicë – Mal Jushit, për shkakun e realizimit të shpërthimit të kontrolluar, si nga forcat ushtarake, forcat policisë së shtetit, forca bashkiake, forca të OSHEE për riparimin e linjave që mund të dëmtohen nga shpërthimi, Urgjenca Mjeksore për cdo rast të mundshëm, etj.
Në ditën e sotme në këtë operacion morën pjesë:
Forca të Armatosura veta, 5 mjete, 3 agregate dhe paisje të tjera speciale xhenjere.
Forca të Policisë së Shtetit 6
Mjete të Policisë së Shtetit 2 mjete.
Forca Bashkiake në total 12
Mjete bashkiake 3
5 veta nga njësia administrative.
4 veta nga OSHEE, me një mjet
1 autoambulancë me tre veta përsonel mjeksor.
Nga efektivët xhenjer të FA, pas mbarimit me sukses të plasjeve, ka vazhduar puna në pastrimin dhe skarfikimin e shkëmbinjëve dhe gurëve të lëvizur deri në ora 16:30.
Për nesër ekipet xhenjere do të vazhdojnë punën për pregatitjen e vrimave në masivet shkëmborë që do të shkatërrohen me eksplodim”, thuhet në njoftim.
Prej vitesh këto gurë ishin kthyer në rrezik për banorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Në vitin 2017 në këtë zonë ndodhi një tragjedi: një masiv shkëmbor goditi një automjet dhe për pasojë humbën jetën dy vëllezër dhe gruaja e njërit prej tyre, e cila ishte shtatzënë.