E Hënë, 2 Nëntor 2026

VIDEO/ Rrëzohet një aeroplan në Indi, 242 persona në bord

Një aeroplan i Air India është rrëzuar në aeroportin e qytetit Ahmedabad të Indisë perëndimore.

Aeroplani ishte nisur për në Birmingham. Aksidenti ndodhi gjatë ngritjes, sipas kanaleve televizive lokale. Ngjarja ndodhi pranë zonës së banuar Meghaninagar, afër kryqëzimit Forensic Cross Road, duke shkaktuar panik mes banorëve. Avioni u përplas afër terrenit sportiv IGB Ground. Pamje nga vendngjarja tregojnë re të mëdha tymi që ngrihen në ajër, ndërsa shërbimet e urgjencës mbërritën me shpejtësi.

Sipas kanaleve televizive, në bord të avionit ndodheshin rreth 242 persona. Dëshmitarët thanë se dëgjuan një shpërthim të fuqishëm, i ndjekur nga flakë dhe kaos.

Në vendngjarje kanë mbërritur njësi të zjarrfikësve, policisë vendore dhe ambulanca. Po ashtu janë dislokuar edhe ekipe të Forcës Kombëtare të Reagimit ndaj Katastrofave (NDRF), ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim. Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar numrin e të mbijetuarve apo viktimave.

Sipas burimeve zyrtare, “sinjali i fundit nga avioni është marrë në orën 08:08:51 UTC, vetëm disa sekonda pas ngritjes”. Aeroplani ishte një Boeing 787-8 Dreamliner me regjistrimin VT-ANB.

Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka zhvilluar një bisedë me Kryeministrin e shtetit Gujarat, Bhupendra Patel, duke garantuar ndihmë të plotë nga qeveria qendrore. Zona është rrethuar dhe qytetarët janë urdhëruar të qëndrojnë larg për të mos penguar operacionet e shpëtimit.

Air India dhe Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil pritet të lëshojnë deklarata zyrtare së shpejti. Shkaqet e aksidentit janë ende të panjohura, por raportimet fillestare sugjerojnë se përplasja ndodhi gjatë fazës së ngritjes nga pista.

/vizionplus.tv

Plan crash in Ahmedabad…! pic.twitter.com/pkP6pLW0vb

— DIVYESH HIRPARA (@hirparadivyesh) June 12, 2025

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›