E Hënë, 2 Nëntor 2026

VIDEO/ Sërish përplasje në Baks-Rrjoll, policia mbron oligarkun dhe dhunon banorët: Na rrahën si të ishim serbë…

Tensionet kanë arritur sërish pikën kulmore në zonën e Baks-Rrjollit në Velipojë, ku protesta e banorëve kundër ndërtimit të një resorti turistik ka degjeneruar në përplasje të dhunshme me forcat e policisë.

Gjatë protestës së ditës së shtunë, banorët kanë akuzuar policinë për përdorim të forcës, veçanërisht ndaj grave, ndërsa një prej protestueseve ka përfunduar në spital pas lëndimeve të marra.

Situata u përshkallëzua kur forcat e policisë ndërhynë për të lejuar vijimin e punimeve nga firma ndërtuese, duke çuar në konfrontim fizik me protestuesit.

Në zonën në fjalë, oligarku Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blue Borgo”.

Me statusin e investitorit strategjik, Bashkim Ulaj në fillim të shkurtit nisi punimet për ndërtimin e “Blue Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”.

Ndërsa banorët pretendojnë se ky resort po bëhet në pronat e tyre që ua ka grabitur me letra false një person me emrin Fatmir Shpellzaj, i cili më pas ia ka shitur Ulajt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›