E Hënë, 2 Nëntor 2026

VIDEO/ Sjellja joprofesionale e punonjësve të “WizzAir”, britma dhe ofendime ndaj udhëtarëve, ja çfarë thotë Wizz Air

Një qytetar ka raportuar për një situatë shqetësuese gjatë udhëtimit nga Pisa drejt Tiranës, duke denoncuar sjelljen diskriminuese të stafit të WizzAir ndaj udhëtarëve shqiptarë.

Sipas qytetarit, që ka bërë denoncimin në “JOQ”, udhëtarët janë ofenduar nga punonjëset e Check-In dhe nuk u është lejuar të udhëtojnë nëse nuk paguajnë 78 euro shtesë për çantat e shpinës.

Ai thotë se duke bërtitur dhe kërcënuar se do njoftojnë policinë, punonjëset e aeroportit nuk kanë lejuar shqiptarët të udhëtojnë, madje kanë kthyer edhe disa moshuarit, pa u interesuar se janë me bileta dhe të rregullt.

Madje ai shton se edhe në rastet kur çanta është e vogël, disa udhëtarë janë detyruar të paguajnë ekstra për të udhëtuar.

Ai thotë se këto praktika diskriminuese janë shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe transparenca e WizzAir për tarifat e bagazheve lë shumë për të dëshiruar.

Vlen të thuhet se ky nuk është rasti i vetëm që WizzAir, një kompani “low cost”, abuzon me udhëtarët duke i detyruar të paguajnë për bagazhet e dorës ndërkohë për vonesat, shtyrjet dhe anulimet e fluturimeve s’mban përgjegjësi.

Nderkohe Wizz Air ne lidhje me kete ngjarje ka reaguar duke u shprehur se:

“Wizz Air dëshiron të sqarojë rrethanat që lidhen me situatën e fundit të raportuar në media.


Procedurat e imbarkimit në aeroporte ndjekin rregulla të përcaktuara qartë, të cilat u komunikohen paraprakisht pasagjerëve. Të gjithë pasagjerët duhet të respektojnë udhëzimet e imbarkimit, përfshirë edhe orën përfundimtare të imbarkimit të shënuar në kartën e imbarkimit dhe të njoftuar në aeroport. Këto procedura janë vendosur për të siguruar përpikmërinë dhe funksionimin e rregullt të të gjitha fluturimeve, ndërkohë që procesi i imbarkimit zhvillohet në koordinim me stafin e shërbimit tokësor të aeroportit, i cili është përgjegjës për menaxhimin e portës së imbarkimit dhe për të siguruar që procedurat ndiqen në përputhje me rregullat e aeroportit.

Wizz Air synon gjithmonë të mbështesë pasagjerët dhe të ofrojë një eksperiencë udhëtimi sa më të qetë. Ne i inkurajojmë të gjithë udhëtarët të paraqiten në kohë në portë dhe të ndjekin me kujdes udhëzimet e imbarkimit për të shmangur çdo shqetësim.

Linja ajrore mbetet e përkushtuar ndaj komunikimit transparent dhe ofrimit të udhëtimeve të sigurta, të besueshme dhe efikase për të gjithë pasagjerët.“

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›