E Hënë, 2 Nëntor 2026

VIDEO/ Stuhia në Fier, pas problemeve në disa fshatra, rikthehet energjia elektrike

Energjia elektrike është rikthyer pas riparimeve të defekteve të shkaktuara nga stuhia në qarkun e Fierit.

Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencave në prefekturën e Fierit, problematika e vetme gjatë stuhisë ishin avaritë në rrjetin elektrik që prekën Mallakastrën, Cakranin, Frakullën dhe zonën bregdetare Darëzezë-Seman. Me ndërhyrjen e ekipeve në terren defektet u riparuan dhe pritet rikthimi i energjisë në zonat bregdetare.

Në disa akse rrugore si ai Fier-Patos, Fier-Lushnje në afërsi të Mbrostarit dhe segmenti Fier-Rroskovec, u bllokua përkohësisht qarkullimi rrugor nga vërshimi i ujërave ndërsa në Lushnje dhe përgjatë autostradës Levan-Tepelenë u rrëzuan disa pemë por pa shkaktuar dëme.

Forca e stuhisë që nisi rreth orës 13:00 dhe zgjati afërsisht një orë, ka rënë. Megjithatë ka reshje shiu dhe shkarkesa elektrike në  të gjithë territorin. Ekipet e Emergjencave Civile janë në gatishmëri dhe në terren për monitorim të situatës.

/abcnews.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›