E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Të paktën 22 viktima nga shembja e dy ndërtesave në Marok

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur, si pasojë e shembjes së dy ndërtesave banimi në qytetin Fez të Marokut.

Ngjarja tragjike ndodhi herët në orët e mëngjesit të së mërkurës, kur dy godina katërkatëshe, ku strehoheshin tetë familje, u rrëzuan papritur, duke zënë poshtë banorë dhe duke shkaktuar një situatë kaotike në zonë.

Sipas mediave shtetërore marokene, ndërtesat ndodheshin në lagjen Al Massira, në pjesën jugperëndimore të qytetit të ri të Fezit dhe prej kohësh kishin paraqitur shenja të dukshme amortizimi. Banorët e zonës raportuan se, për vite me radhë, godina kishte pësuar dëmtime strukturore, çka ngriti dyshime për sigurinë e tyre, por asnjë ndërhyrje e thelluar nuk ishte bërë.

Ekipet e emergjencës nisën menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit, ndërsa forcat e Mbrojtjes Civile po punojnë pa ndërprerë për të lokalizuar çdo person që mund të ketë mbetur i bllokuar nën rrënoja. Viktimat e plagosura janë transportuar në spital, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Autoritetet kanë evakuuar ndërtesat përreth si masë sigurie, duke shmangur rrezikun e mundshëm të një shembjeje tjetër. Ndërkohë, një hetim i plotë ka nisur për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse mosrespektimi i standardeve të ndërtimit ka luajtur rol në këtë tragjedi.

Shembjet e ndërtesave janë një problem i njohur në Marok. Vetë ministri i strehimit, Adib Ben Ibrahim, deklaroi në fillim të këtij viti se rreth 13,700 ndërtesa në vend janë në rrezik të menjëhershëm për t’u rrëzuar, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e banorëve në disa zona urbane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›