Vaksina 9-valente kundër HPV-së, zgjerohet mbrojtja për vajzat dhe djemtë 13-vjeçarë

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Vijon në të gjithë vendin programi i vaksinimit kundër HPV-së, tashmë me vaksinën e re 9-valente, e cila u ofron mbrojtje më të gjerë vajzave dhe djemve 13-vjeçarë, në përputhje me Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ishte në Lushnje, ku vizitoi qendrën shëndetësore dhe u njoh nga afër me procesin e vaksinimit dhe informimin e familjeve për këtë program.
Spahiu theksoi rëndësinë e vaksinimit në moshë të hershme, si një masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të brezave të rinj.
Me vaksinën e re 9-valente zgjerohet mbrojtja ndaj tipeve të virusit HPV që lidhen me kancerin e qafës së mitrës, si edhe me sëmundje të tjera të shkaktuara nga ky virus.
Programi synon të forcojë parandalimin dhe mbrojtjen shëndetësore që në moshë të hershme, duke përfshirë tashmë në vaksinimin kundër HPV-së si vajzat, ashtu edhe djemtë 13-vjeçarë.
“Mbrojtje më e gjerë, parandalim më i fortë”, është mesazhi i përcjellë në kuadër të vijimit të vaksinimit kundër HPV-së në të gjithë Shqipërinë.
/e.xh/