E Diel, 1 Nëntor 2026

Vala e të nxehtit pushton vendin gjatë fundjavës, ja paralajmërimi i sinoptikanes Lajda Porja

Sinoptikania Lajda Porja, në një lidhje Skype për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, paralajmëroi se vendi do të përballet me temperatura shumë të larta gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme.

Sipas saj, temperaturat minimale kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë mëngjesit, duke krijuar ndjesinë e motit pranveror në orët e para të ditës. Megjithatë, situata ndryshon ndjeshëm në mesditë, kur termometri pritet të shënojë deri në 34 gradë Celsius. Sinoptikania theksoi se valët e të nxehtit do të përfshijnë pjesën më të madhe të Europës dhe se temperaturat e larta do të vijojnë deri në fund të muajit gusht.

“Pas orës 11:00 çdo ditë do të nisin temperaturat e larta. Kjo fundjavë dhe java tjetër do të jenë me temperatura shumë të larta. Gjatë fundjavës presim temperatura deri në 36 gradë, të cilat do të ndihen si 40 gradë Celsius. Do të jetë një verë me temperatura shumë të larta, madje më e nxehtë se viti i kaluar. Orët më kritike do të jenë nga 11:00 deri në 14:00 ose 15:00, interval kur duhet të tregojnë kujdes të shtuar të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe fëmijët”, tha ajo.

Porja rekomandoi shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve të pikut, konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe kufizimin e aktiviteteve fizike në ambiente të hapura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›