E Diel, 1 Nëntor 2026

Vala ekstreme e të nxehtit godet Evropën Perëndimore, Franca, Spanja dhe Britania thyejnë rekorde historike

Një valë e pazakontë dhe ekstreme e të nxehtit ka përfshirë Evropën Perëndimore, duke sjellë temperatura rekord në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se fenomeni lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike dhe po shfaqet gjithnjë e më herët gjatë vitit.

Sipas autoriteteve meteorologjike franceze, më shumë se 350 qytete në Francë kanë regjistruar temperaturat më të larta ndonjëherë për muajin maj. Në të njëjtën kohë, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thyer rekorde kombëtare të nxehtësisë, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa pjesë të Spanjës deri në fund të javës.

Shkencëtari i klimës, Christophe Cassou, e përshkroi situatën si një ngjarje jashtëzakonisht të rrallë.

“Kjo është një ngjarje e paprecedentë, me vetëm një shans në 1,000 për të ndodhur në këtë periudhë të vitit bazuar në klimën e viteve 1979-2025 dhe praktikisht e pamundur në epokën paraindustriale”, deklaroi ai për gazetën franceze Le Monde.

Parashikuesit e motit thanë se temperatura në disa zona po tejkalon normat sezonale me 12 deri në 13 gradë Celsius. Agjencia kombëtare meteorologjike franceze, Météo France, e përshkroi fenomenin si një episod të nxehtësisë “të parakohshme, të jashtëzakonshme dhe të gjatë”, që pritet të zgjasë edhe për disa ditë të tjera.

Sipas ekspertëve, valët e të nxehtit janë shkaktuar nga një “kupolë nxehtësie”, ku ajri shumë i ngrohtë nga Maroku është bllokuar mbi Evropën Perëndimore nga një sistem i fuqishëm me presion të lartë atmosferik.

Meteorologët paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme do të bëhen më të zakonshme në vitet e ardhshme për shkak të ngrohjes globale.

“Evropa duhet të presë që këto fenomene të ndodhin gjithnjë e më shpesh, më herët gjatë vitit dhe me intensitet më të madh”, thuhet në deklaratën e Météo France.

Studiuesi i klimës Robert Vautard tha se zgjatja e sezonit të valëve të të nxehtit është një shenjë e qartë e ndryshimeve klimatike.

“Kjo është plotësisht karakteristike e efekteve të ndryshimeve klimatike. Në të ardhmen mund të shohim valë të ngjashme të nxehti edhe në prill apo tetor”, deklaroi ai për Agence France-Presse.

Ndërkohë, Spanja po përballet gjithashtu me temperatura jashtëzakonisht të larta. Në disa zona jugore termometri arriti deri në 38 gradë Celsius gjatë fundjavës, rreth 5 deri në 10 gradë mbi normalen sezonale.

Zëdhënësi i agjencisë shtetërore meteorologjike spanjolle Aemet, Rubén del Campo, paralajmëroi se vala e nxehtësisë pritet të zgjasë gjatë gjithë javës.

“Situata do të vazhdojë të paktën deri në fundjavë dhe temperaturat mund të rriten edhe më shumë të enjten dhe të premten, me mbi 34 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›