E Hënë, 2 Nëntor 2026

VanHorn takohet me ministrin Gogu: Mbrojtja dhe siguria, thelbësore për SHBA-në dhe Shqipërinë

E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, është takuar me Ministrin e ri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu.

Në fokus të takimit ishte identifikimi i fushave me interes të përbashkët për bashkëpunimin mes dy vendeve, ku mbrojtja dhe siguria ishin prioritetet kyçe.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Ministrin e ri për Marrëdhëniet me Parlamentin Toni Gogu për të kuptuar agjendën e tij ligjvënëse dhe për të identifikuar fusha që përputhen me interesat e Shteteve të Bashkuara. Ata diskutuan shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, të cilat SHBA i konsideron thelbësore në paraqitjen e një fronti të përbashkët kundër kundërshtarëve tanë dhe për të mbajtur vendet tona të sigurta”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Më herët, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi takime edhe me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, ku në fokus të bisedave ka qenë siguria, mbrojtja dhe sundimi i ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›