E Martë, 3 Nëntor 2026

Vangjeli: Qytetarët presin bonusin e qirasë dhe banesat, Bashkia e Tiranës bën tendera për mobilie

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Partia Demokratike denoncon shpërdorimin e fondeve publike nga bashkia e Tiranës përmes tenderave të dyshimtë dhe me mungesë konkurrence, që rëndojnë buxhetin e qytetarëve dhe nuk reflektojnë prioritetet e vërteta të komunitetit.

Sipas zëdhënëses së PD-së, Genta Vangjeli, në total, 17 milion euro me TVSH janë shpenzuar nga bashkia e Tiranës për pajisje dhe orendi mobilimi, përmes 63 tenderave, ku janë shpallur fitues vetëm 16 operatorë ekonomikë, mesatarisht 4 tendera për çdo operator.

“Ky përqendrim alarmues nuk është aspak rastësor, por pasojë e kritereve kualifikuese të hartuara me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara, në shkelje të konkurrencës së ndershme. Ky model është tashmë i dukshëm edhe në drejtimin e kryetares së komanduar të bashkisë Tiranë, Anuela Ristani”, tha Vangjeli.

Sipas Vangjelit, kjo situatë ndodh në një kohë kur qytetarët e Tiranës presin ende përfundimin e procesit të rindërtimit, pagesën e bonuseve të qirasë dhe mbështetje për familjet në nevojë,

“Partia Demokratike i bën thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ristanit të rishikojnë menjëherë këto praktika të dëmshme dhe të fokusohen në nevojat reale të qytetarëve. Çdo shkelje apo abuzim me fondet publike do të monitorohet dhe denoncohet me vendosmëri nga opozita”, tha Vangjeli.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›