E Diel, 1 Nëntor 2026

Vau i Dejës / Transportonte një minë me telekomandë, një i arrestuar, në kërkim bashkëpunëtori. Policia: Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale

Një person është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi u kapën duke transportuar një minë me telekomandë. Arrestimi i tyre, tha policia, parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale

Gjatë operacionit të koduar “Remote” është vënë në pranga 38-vjeçari Euglen Buraku, banues në Spitallë, Durrës,  i cili u kap duke transportuar një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Ndërkohë, është shpallur në kërkim një 34-vjeçar, E. P., banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor i tij.

Rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, efektivët ndaluan për kontroll automjetin me të cilin lëvizte i dyshuari.

Gjatë kontrollit, u gjet dhe u sekuestrua një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e destinacionit dhe qëllimit të transportimit të minës, si dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›